Kurti synon 60%: A po kërkon LVV “super-mandat” për ta thyer bllokadën politike?

Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministër në detyrë, ka deklaruar në disa tubime parazgjedhore se partia e tij synon një rritje të ndjeshme të përkrahjes elektorale në zgjedhjet e 7 qershorit, duke pretenduar se LVV mund të kalojë nga rreth 51.1% të votave në zgjedhjet e kaluara në rreth 60% ose edhe më shumë në këtë proces zgjedhor.

 

“Ajo që do të ndryshojë këtë herë është përqindja e votave, nga 51.1% sa ishte në dimër, tani do të jetë 60%, ndoshta edhe më shumë”, deklaroi Kurti në një nga paraqitjet e tij gjatë fushatës, duke theksuar synimin për një fitore edhe më bindëse në raport me zgjedhjet e mëparshme.

Në këtë kontekst, këto deklarata janë bërë pikë diskutimi për shkak të ambicies së lartë që paraqesin dhe ndikimit që një rezultat i tillë do të kishte në sistemin politik të vendit.

 

Po ashtu, një rezultat prej rreth 60% do të kishte implikime të rëndësishme institucionale, pasi do të ndikonte drejtpërdrejt në aftësinë e LVV-së për të formuar qeverinë dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit, i cili kërkon konsensus më të gjerë politik në Kuvend.

Por, sa janë gjasat që LVV të marrë një fitore të thellë dhe atë se çka po e synon në zgjedhjet e 7 qershorit?

Gacaferi: 60% e shpëton Kosovën nga bllokada e radhës

Fillimisht, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli anëtari i Guxo, Luan Gacaferi, i cili mbështeti deklaratën Kurtit, derisa tha se duhen 60 për qind e votave në mënyrë që të zhbllokohet shteti dhe Kuvendi.

“KM Kurti ka shumë të drejtë kur thotë se këtë herë duhen 60%, sepse 51% nuk kanë mjaftuar, sipas opozitës!

Duhen 60%, sepse është e vetmja mënyrë për t’ia marrë opozitës nga dora armën e bllokimit në Parlament, e cila po e bllokon shtetin tash e më shumë se një vit!”.

Krahas kësaj, Gacaferi u shpreh i bindur se si Kurti, ashtu edhe qytetarët e kanë kuptuar se vetëm me një fitore të LVV prej 60 për qind mund të zhbllokohet Kosova nga bllokadat e opozitës.

“60% e shpëton Kosovën nga bllokada e radhës dhe jam shumë i bindur se edhe qytetarët më në fund e kanë kuptuar se vetëm 60% e shpëtojnë Kosovën nga një tjetër bllokadë nga opozita. Prandaj, KM Kurti ka shumë të drejtë kur kërkon 60%”, shtjelloi Luan Gacaferi për “Bota sot”.

Halilaj: Në aspektin politik dhe juridik, një mandat më i fuqishëm qytetar do të nënkuptonte më pak bllokada politike

Kurse, Gazmend Halilaj vlerëson se, deklaratat e Kurtit për 60 për qind të votave, janë sinjal dhe reflektim i besimit të qytearëve të LVV.

Ai për “Bota sot” përmendi edhe rezultatet e kaluara, e që sipas tij nuk është e pamundur që LVV të kalojë rekordin e saj zgjedhor më 7 qershor.

“Deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti se Lëvizja Vetëvendosje synon të arrijë deri në 60% të votave në zgjedhjet e 7 qershorit duhet të shihen si një reflektim i besimit që një pjesë e madhe e qytetarëve vazhdon ta ketë ndaj kësaj force politike. Duke pasur parasysh rezultatin historik prej mbi 51% në zgjedhjet e fundit, nuk mund të thuhet se një rritje e mëtejshme është e pamundur, sidomos në një kohë kur qytetarët kërkojnë stabilitet institucional, qeverisje më efikase dhe vazhdim të reformave në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit”.

Po ashtu, ai potencoi se një mandat politik i fuqishëm do i ndalonte bllokadat e njëpasnjëshme që e kanë goditë Kosovën kohët e fundit.

“Në aspektin politik dhe juridik, një mandat më i fuqishëm qytetar do të nënkuptonte më pak bllokada politike, më shumë funksionalitet institucional dhe mundësi reale për krijimin e institucioneve pa kriza të vazhdueshme parlamentare. Kosova ka humbur shumë kohë për shkak të kalkulimeve politike dhe mungesës së konsensusit minimal shtetëror, prandaj çdo rezultat që prodhon stabilitet dhe qeverisje të qartë është në interes të qytetarëve dhe të vetë shtetit”, u shpreh Halilaj.

Në fund, shtoi se, nëse LVV merr një rezultat historik në zgjedhjet e ardhshme, atëherë do shangeshin edhe pazaret politike dhe dhe ngërçet institucionale.

“Nëse LVV arrin një rezultat rreth 60%, atëherë do të krijohej një bazë shumë më e fortë parlamentare jo vetëm për formimin e qeverisë, por edhe për proceset tjera kushtetuese, përfshirë zgjedhjen e presidentit të vendit, duke shmangur pazaret politike dhe ngërçet institucionale që shpesh e kanë dëmtuar funksionimin demokratik të Kosovës. Në fund të fundit, në demokraci vendimin e jep qytetari dhe çdo mandat i fuqishëm duhet të respektohet si shprehje legjitime e vullnetit popullor”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.