Baxhanaku vret baxhanakun e tij

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur e Fushë-Krujës. Sipas informacioneve paraprake, rasti ka ndodhur më 10 prill në fshatin Nikël, ku dyshohet se një person ka vrarë me armë zjarri kunatin e tij pas një konflikti.

 

Burime bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15 në fshatin Vrion (Verjon), në njësinë administrative Nikël. Viktima është identifikuar si shtetasi Artur Çangu, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas të dhënave të para të siguruara nga burime policore dhe raportimeve mediatike, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Krujë ka mbërritur një telefonatë nga një person i identifikuar me inicialet E.A., i cili ka deklaruar se disa persona të armatosur kanë qëlluar në drejtim të shtetasit A.Ç. Megjithatë, hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se autor i krimit mund të jetë pikërisht kunati i viktimës, ndonëse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht në mënyrë të plotë.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim paraprak lidhur me ngjarjen, ku thekson se dyshohet që shtetasi me inicialet E.A., pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar për vdekje shtetasin A.C. me armë zjarri. Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i krimit dhe aktualisht është në arrati.

Forcat e policisë kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohen kontrolle intensive në zonë dhe përreth saj. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për dokumentimin ligjor të këtij rasti të rëndë.

Paraprakisht dyshohet se konflikti mes viktimës dhe autorit ka nisur disa ditë më parë, çka mund të ketë çuar në përshkallëzimin e situatës deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare në vijim lidhur me zhvillimet e mëtejshme dhe arrestimin e autorit të dyshuar.