Milaim Zeka dënohet me një vit burg me kusht dhe 3.000€

Milaim Zeka është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të shmangies tatimore, në kuadër të rigjykimit që lidhet me rastin e njohur të vizave të punës.

 

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Edita Çanta, Zekës i është shqiptuar dënim me një vit burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale. Po ashtu, ai është dënuar edhe me gjobë prej 3 mijë eurosh.

Gjykata ka obliguar Zekën që Administrata Tatimore e Kosovës t’i kompensojë 81 mijë euro në emër të dëmit të shkaktuar.

 

Ndërkohë, për Ilir Krasniqi dhe për Milaim Zekën lidhur me pikën e dytë të aktakuzës, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues, pasi prokuroria ishte tërhequr nga akuza gjatë fjalës përfundimtare.

Rasti i shmangies tatimore është pjesë e procesit gjyqësor ku Zeka, Krasniqi dhe Edmond Kërliu akuzoheshin për mashtrim dhe pastrim parash në lidhje me vizat e punës. Për këto vepra, ata ishin liruar nga akuzat me vendim të Gjykatës Themelore në prill të vitit 2022.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e Kosovës më 30 dhjetor 2023 kishte vendosur ta kthejë në rigjykim vetëm pjesën e aktakuzës që kishte të bënte me shmangien tatimore.

Në seancën e mbajtur më 9 qershor 2026 ishte dëgjuar edhe eksperti financiar Ilaz Papaj.(INA)