Sami Lushtaku ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar këtë të fundit për deklarata të pavërteta dhe tendencioze ndaj tij.
Përmes një deklarate publike, Lushtaku bëri të ditur se padia është dorëzuar përmes avokatit të tij, teksa tha se nuk do të lejojë që emri dhe kontributi i tij të përdoren për propagandë politike.
“Sot përmes avokatit tim kam dorëzuar padi për shpifje ndaj Albin Kurtit, pas deklaratave të pavërteta dhe tendencioze ndaj meje”, deklaroi Lushtaku.
Ai shtoi se nuk do të tolerojë, siç u shpreh, “mashtrime publike e shpifje të ulëta”.
“Nuk do të lejoj që emri im, kontributi im dhe dinjiteti im të përdoren për propagandë politike, mashtrime publike e shpifje të ulëta”, thuhet në reagimin e tij.
Tutje, Lushtaku paralajmëroi veprime ligjore ndaj kujtdo që, sipas tij, shpif apo manipulon me të pavërteta.
“Kjo është një përgjigje e qartë për çdo tentativë linçimi politik. Çdokush që shpif e manipulon me të pavërteta, do të përballet me të njëjtin veprim dhe me përgjegjësi para ligjit”, përfundoi ai.