Analisti politik Halil Geci ka publikuar një analizë pas intervistës së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në emisionin Interaktiv, duke vlerësuar paraqitjen e tij si të qetë, të kontrolluar dhe të orientuar drejt mbrojtjes së stabilitetit institucional.
Sipas Gecit, gjatë intervistës Kurti u përball me pyetje për krizën politike, raportet me opozitën, ekonominë, dialogun me Serbinë dhe perspektivën zgjedhore, ndërsa përgjigjet e tij, sipas tij, reflektuan një strategji të kujdesshme komunikimi politik.
Në analizën e tij, Geci vlerëson se Kurti u paraqit si një lider racional dhe i përqendruar në interesin shtetëror, duke argumentuar se qeveria ka treguar gatishmëri për bashkëpunim, ndërsa opozita është shfaqur si faktor që, sipas tij, ka kontribuar në bllokada politike.
Ai thekson se gjatë debatit televiziv, Kurti ndërtoi narrativën se Lëvizja Vetëvendosje përfaqëson stabilitetin institucional dhe vullnetin qytetar, ndërsa kundërshtarët politikë paraqiten si pjesë e krizës politike.
Një pjesë e analizës i kushtohet edhe mënyrës së komunikimit të Kurtit. Geci vlerëson se ai ruajti kontroll emocional dhe shmangu përplasjet personale, duke e krahasuar stilin e tij me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Në pjesën që lidhet me zhvillimet politike, Geci përmend edhe raportet me presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se në opinion publik ekzistojnë interpretime të ndryshme për qëndrimet e saj dhe për dinamikat politike në vend.
Po ashtu, ai ndalet edhe te deklarimet e Kurtit për zhvillimet në Skënderaj, ku sipas analizës së Gecit, kryeministri përmendi rastin që lidhet me Sami Lushtaku dhe incidentet e raportuara në atë komunë, duke thënë se pret trajtim institucional dhe shqyrtim nga organet kompetente.
Analiza e Halil Gecit:
Në intervistën e tij në “Interaktiv”, Albin Kurti u tregua një lider i pathyeshëm që mbrojti shtetin dhe demaskoi bllokadat politike.
Ai po dëshmon se është një burrë shteti i urtë, racional dhe i pazëvendësueshëm, dhe me të drejtë e quajnë “Baba i Kosovës”, përballë sulmeve, shpifjeve dhe krizave politike që di t’i menaxhojë.
Në demokracitë moderne, komunikimi politik i liderëve në debate televizive dhe intervista është një ndër instrumentet kryesore përmes të cilave formësohet opinioni publik.
Pikërisht në “Interaktiv”, Kurti tregoi imazhin e një lideri të urtë, racional dhe të përqendruar në interesin shtetëror.
Gjatë intervistës, ai u përball me pyetje të shumta lidhur me krizën politike, raportet me opozitën, ekonominë, dialogun me Serbinë dhe perspektivën e zgjedhjeve.
Përgjigjet e tij dëshmuan një strategji të kujdesshme komunikimi politik, e cila kishte për qëllim ruajtjen e stabilitetit institucional dhe imazhit të shtetit të Kosovës. Kurti u shfaq më shumë i fokusuar në forcimin e vendit sesa në interesin partiak apo personal.
Ai theksoi se qeveria e tij ka qenë e gatshme për bashkëpunim, ndërsa opozita shpesh është paraqitur si faktor bllokues i institucioneve shtetërore.
Nga aspekti politik, një lider nuk fokusohet vetëm te faktet, por edhe te mënyra se si e ndërton narrativën publike. Kurti e ndërtoi debatin rreth idesë se Vetëvendosje përfaqëson stabilitetin dhe vullnetin qytetar si fituese me mbi 51%, ndërsa opozita paraqitet si forcë e bllokadës institucionale dhe krizës politike.
Kjo situatë ndikon në mobilizimin e elektoratit dhe forcon bindjen e qytetarëve për nevojën e stabilitetit politik.
Një element i rëndësishëm i intervistës ishte kontrolli emocional i Kurtit. Ai u shfaq i qetë, duke përdorur një gjuhë të butë, analitike dhe argumentuese. Përballë pyetjeve provokuese, ai shmangu tensionin dhe ruajti një komunikim të matur, duke kujtuar stilin e liderëve të qëndrueshëm politikë si Ibrahim Rugova.
Kurti dëshmoi se i zotëron temat dhe i artikulon qëndrimet e tij në mënyrë logjike dhe të strukturuar. Pikërisht për këtë arsye, ai gëzon mbështetje nga elektorati urban dhe votuesit e pavendosur, të cilët vlerësojnë racionalitetin dhe stabilitetin politik.
Një dimension tjetër i rëndësishëm ishte mënyra se si ai e paraqiti konfliktin politik si përballje ndërmjet vullnetit qytetar dhe elitave opozitare që synojnë pushtetin me çdo kusht.
Deklarata publike e Vjosa Osmanit ku thuhet: “do ta çojmë vendin në zgjedhje nëse është nevoja çdo tre muaj derisa të hiqet Kurti dhe Vjosa e opozita ta marrin pushtetin”, tregon hapur se opozita shihet si bllokuese që kërkon pushtet pa votë dhe pa legjitimitet.
Sjellja e Kurtit përballë deklaratave kritikuese të Vjosa Osmanit u pa nga shumë qytetarë si e matur dhe e kontrolluar. Ai nuk hyri në replika personale dhe nuk i dha peshë sulmeve, duke zgjedhur qasje institucionale dhe qetësi politike.
Nga ana tjetër, në opinionin publik ka interpretime të ndryshme për qëndrimet e saj, shpesh të lidhura me ambicie politike dhe përplasje për pushtet.
Në zhargon popullor thuhet: “me fjet me fëmijë, çohesh i lagur”.
Në pjesën ekonomike, Kurti përdori një gjuhë institucionale, duke folur për zhvillim, progres dhe përmirësim të gjendjes sociale. Këto terma mbeten të hapura për interpretim nga qytetarë të ndryshëm, varësisht pritjeve të tyre.
Një temë kyçe ishte edhe dialogu me Serbinë. Kurti mbajti një qëndrim të fortë sovranist, duke theksuar mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo çështje mbetet një nga temat më të ndjeshme në politikën kosovare dhe ndikon drejtpërdrejt në opinionin publik.
Kurti u paraqit si lider i vendosur në mbrojtjen e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit, edhe kur kjo mund të sjellë tensione në arenën ndërkombëtare.
Në përfundim, intervista e tij në “Interaktiv” paraqiti një lider të qëndrueshëm, racional dhe të fokusuar në stabilitetin shtetëror.
Ai u shfaq si figurë politike që ruan qetësinë dhe autoritetin institucional edhe në situata të tensionuara, duke e forcuar imazhin e tij si një nga liderët më dominues në politikën kosovare.
Kurti në “Interaktiv” e përmendi rastin e Sami Lushtakut dhe sulmin që ai, ia kishte bërë zëvendësministrit dhe kryetarit të VV-së në Skënderaj.
Ai gjithashtu përmendi një rast tjetër, kur Lushtaku në Skënderaj i kishte dalë përpara eskortës së tij, duke tentuar që me qëllim të shkaktojë përplasje.
Për të dy rastet, Kurti theksoi se pret një shqyrtim të drejtë nga gjykatat kompetente.