Kryetarja e Listës Guxo dhe ministrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla, ka falënderuar, të martën, kosovarët e diasporës që janë regjistruar për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Të dashur bashkëmërgimtarë kudo që jeni, faleminderit që vazhdoni të jeni zemra e Kosovës, pjesë e proceseve të saj demokratike dhe mbështetje e fuqishme e Republikës në çdo cep të botës”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook. Me ju në krah, Kosova është gjithmonë më e fortë. Faleminderit nga zemra”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar mbi 131 mijë kërkesa të diasporës për votim, të martën.
“Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 131,800 aplikime të aprovuara, 100,522 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,502 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 27,776 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë zëdhënësi I KQZ-së, Valmir Elezi për KosovaPress.
KQZ pranoi 142,803 aplikime të diasporës nga të cilat i aprovoi 131,800, ndërsa 10,907 janë refuzuar dhe 96 janë anuluar.