Lushtaku: Kurti, Peci e Bahtiri për vite me radhë kanë ushqyer klimë përçarëse ndaj Drenicës dhe UÇK-së

Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se Agim Bahtiri, Albin Kurti dhe Faton Peci, për vite me radhë kanë ushqyer klimë përçarëse ndaj Drenicës dhe vlerave të UÇK-së.

 

Sipas tij, ta kanë tentuar të krijojnë armiqësi mes shqiptarëve për interesa të ngushta politike.

Lushtaku përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sot, si pasojë e kësaj propagande të rrezikshme, një pjesë e mbështetësve të tyre shfaqin më shumë urrejtje ndaj Drenicës dhe luftës çlirimtare sesa ndaj Serbisë dhe regjimit kriminal të Millosheviqit.

Postimi i tij i plotë:

 

Agim Bahtiri sot flet për “unitet” e “bashkim” nga Dukagjini në Drenicë, por qytetarët nuk harrojnë se pikërisht ai ka qenë ndër zërat që ka nxitur përçarje, gjuhë urrejtjeje dhe ndasi mes Shalës e Drenicës.

Po ashtu, Agim Bahtiri, Albin Kurti dhe Faton Peci, për vite me radhë kanë ushqyer klimë përçarëse ndaj Drenicës dhe vlerave të UÇK-së, duke tentuar të krijojnë armiqësi mes shqiptarëve për interesa të ngushta politike.

Sot, si pasojë e kësaj propagande të rrezikshme, një pjesë e mbështetësve të tyre shfaqin më shumë urrejtje ndaj Drenicës dhe luftës çlirimtare sesa ndaj Serbisë dhe regjimit kriminal të Millosheviqit. Kjo është alarmuese dhe e papranueshme.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë që ndërtojnë karrierë mbi përçarje krahinore e sulme ndaj historisë sonë çlirimtare. Ka nevojë për unitet të sinqertë, respekt mes shqiptarëve dhe mbrojtje të vlerave kombëtare.

Veç një pyetje mbetet për Bahtirin: Postimin për “unitet” që e publikove në Facebook, a ta ka shkruar Dejona Mihajli apo Hysen Ibrahimi, autori i shumë librave për Agim Bahtirin?