Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka shpallur thirrje publike për mbështetje financiare për mikro, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për zejtarët, me qëllim që të ndihmohet blerja e makinave dhe veglave të reja dhe të nxitet zhvillimi i prodhimit dhe shërbimeve vendore.
Me këtë thirrje parashihet bashkëfinancim prej 40% të shpenzimeve të dëshmuara për blerjen e makinave dhe veglave të reja, por jo më shumë se 200.000 denarë për aplikues. Për këtë masë janë siguruar gjithsej 11,34 milionë denarë.
Mbështetja ka të bëjë me shpenzimet e bëra gjatë viteve 2025 dhe 2026. Si “makinë e re” konsiderohet pajisja e prodhuar jo më herët se dy vite nga data e blerjes, ndërsa me “vegël” nënkuptohet mjeti ndihmës që përdoret në procesin e prodhimit ose të shërbimit.
Të drejtë aplikimi kanë mikro, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me kapital shumicë vendas, të regjistruara sipas Ligjit për Shoqëri Tregtare, si dhe zejtarët dhe ushtruesit e veprimtarisë zejtare të regjistruar sipas Ligjit për Zejtari.
Për ndërmarrjet është paraparë edhe kushti që të ushtrojnë veprimtari nga industria përpunuese dhe të kenë të paktën dy të punësuar me kontratë të përhershme. Për firmat në pronësi dhe të menaxhuara nga gra, kushti është të kenë të paktën një të punësuar që është pronare dhe menaxhere.
Mjetet nuk mund të përdoren për mbulimin e TVSH-së, doganës, shpenzimeve të transportit, dallimeve kursore, qirave dhe shpenzimeve të paguara me kompensim.
Aplikimet dorëzohen në Arkivin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës në Shkup. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 30 qershor 2026.