Ish-deputeti Gani Geci ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku ka bërë krahasime mes shërbimeve inteligjente të Francës dhe Greqisë, duke i lidhur ato me zhvillimet politike në Kosovë dhe figurat kryesore politike në vend.
Në reagimin e tij, Geci fillimisht ka përmendur shërbimin informativ francez “Direction générale de la Sécurité intérieure (DGSI)”, duke shpjeguar se ky institucion merret me kundërterrorizëm, spiunazh, siguri kombëtare dhe mbrojtje nga kërcënimet e brendshme në Francë.
Më pas ai ka ngritur pyetjen “Kush është Arnaud Danjean?”, duke iu referuar ish-eurodeputetit francez Arnaud Danjean, për të cilin ka deklaruar se është “mik i Hashim Thaçit”.
Në vazhdim të postimit, Geci ka folur edhe për shërbimin inteligjent grek “National Intelligence Service”, i njohur si EYP, duke theksuar se ky institucion merret me inteligjencë kombëtare, kundërspiunazh, kundërterrorizëm dhe siguri kombëtare në Greqi.
Ai më pas ka përmendur Dejona Mihajli, të cilën e ka quajtur “mikeshë të Albin Kurtit”, duke e lidhur emrin e saj me shërbimin inteligjent grek në kontekstin e deklarimeve të tij politike.
“Për shumë vjet Kosovën e sundoi DGSI. Ka disa vjet Kosovën po e sundon EYP”, ka shkruar Geci, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, ndikimet e huaja kanë pasur rol në politikën kosovare ndër vite.
Në fund të reagimit, ai ka bërë edhe një thirrje emocionale lidhur me situatën politike në vend.
“Ruaje, o Zot, Republikën e Kosovës nga armiqtë tanë dhe nga miqtë e Serbisë”, ka përfunduar Geci në postimin e tij.