Mungesa e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në aktivitetet e fundit të Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku me qytetarët e kryeqytetit, ka nxitur diskutime brenda strukturave dhe mbështetësve të LDK-së.
Derisa Osmani dhe Abdixhiku kanë intensifikuar vizitat në lagje të ndryshme të Prishtinës, duke zhvilluar takime me qytetarë në kuadër të mobilizimit politik para zgjedhjeve, Rama nuk është parë në asnjërin prej këtyre organizimeve publike.
Mospjesëmarrja e tij po interpretohet nga disa zëra politikë si distancim nga dinamika e re politike që po ndërtohet rreth bashkëpunimit Osmani-Abdixhiku, ndërsa të tjerë e shohin si sinjal të raporteve jo të afërta mes kryetarit të Prishtinës dhe figurave kryesore të LDK-së.
Deri më tani, Rama nuk ka dhënë ndonjë sqarim publik lidhur me mungesën e tij në këto takime, ndërsa nga LDK-ja nuk ka pasur reagim zyrtar mbi këtë çështje.
Takimet e Osmanit dhe Abdixhikut në lagjet e Prishtinës kanë tërhequr interesim të madh të qytetarëve dhe po konsiderohen si pjesë e organizimit politik të partisë në prag të zgjedhjeve parlamentare.