Kandidati i VV-së për deputet: Jam rrahur nga Sami Lushtaku në Skenderaj

Kandidati për deputet nga LVV-ja dhe kryetari i kësaj partie në Skenderaj, Hysni Mehani, ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga Sami Lushtaku dhe persona të tjerë që, sipas tij, ishin me të.

 

Sipas raportimeve të mediave, ngjarja ka ndodhur të enjten në një lokal në Skenderaj, ndërsa Mehani ka thënë se pas incidentit ka kërkuar trajtim mjekësor.

Në një reagim të publikuar përmes bashkëpunëtorit të tij, Bahri Zabeli, Mehani ka shkruar se është “sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij”, duke pretenduar gjithashtu se i është marrë telefoni personal.

Edhe Bahri Zabeli ka deklaruar për KALLXO.com se ai dhe Mehani janë sulmuar nga Lushtaku, derisa kanë qenë duke qëndruar në një kafene në qytet.

Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Policia e Kosovës lidhur me rastin, ndërsa mediat raportojnë se janë tentuar kontaktet edhe me Lushtakun, por pa përgjigje.