Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, në të cilën është miratuar kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas vendimit të miratuar, Qeveria ka ndarë gjithsej 10,887,186.45 euro për organizimin dhe realizimin e procesit zgjedhor për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjedhje këto që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Mjetet financiare do të përdoren nga KQZ-ja për përgatitjet teknike, administrative dhe logjistike të zgjedhjeve, përfshirë materialet zgjedhore, angazhimin e stafit, qendrat e votimit dhe proceset tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e votimit.
Miratimi i këtij buxheti konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt organizimit të zgjedhjeve të reja, ndërsa institucionet kanë nisur tashmë përgatitjet për procesin zgjedhor që pritet të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.