Berat Buzhala i ka bërë një thirrje publike Fatmir Limaj që të shmangë përçarjet dhe të mbështesë Partia Demokratike e Kosovës pas zhvillimeve të fundit rreth rikthimit të tij në parti.
Përmes një deklarimi publik, Buzhala ka thënë se Limaj duhet të bëjë “veprime politike që i befasojnë kundërshtarët e kthimit të tij në PDK”, duke shtuar se vetë Limaj e njeh më së miri se kush janë mbështetësit dhe kundërshtarët e tij brenda partisë.
Ai ka theksuar se në prag të zgjedhjeve, çdo përçarje brenda PDK-së do të ishte fatale për subjektin politik, duke arsyetuar kështu vendimin që ka marrë partia lidhur me mosrikthimin e tij në këtë fazë.
Sipas Buzhalës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka qenë në favor të rikthimit të Limajt, ashtu si edhe figura të tjera të rëndësishme brenda partisë. Ai madje ka deklaruar se “pro kthimit të tij ka qenë edhe miku i Limajt”, pa përmendur emra konkretë.
Në mesazhin e tij, Buzhala i ka bërë thirrje Limajt që t’u drejtohet mbështetësve të tij për ta votuar PDK-në, duke vlerësuar se një veprim i tillë do ta rriste edhe më shumë figurën e tij brenda elektoratit të partisë dhe do t’i zvogëlonte kundërshtarët politikë.
Ai ka lidhur rikthimin eventual të Limajt në PDK me rikthimin e Hashim Thaçi në Kosovë pas disa javësh, duke kërkuar nga Limaj që të mos e godasë PDK-në dhe votuesit e saj në këtë periudhë politike.
“Kjo nuk të nderon ty, nuk e ndihmon PDK-në, e as qëllimet e përbashkëta”, ka përfunduar deklarata e Buzhalës.