“Kam me ju vra krejt” – 17-vjeçari sulmon policët

Një situatë e tensionuar ka eskaluar në Istog, ku një i mitur dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë dhe i ka kërcënuar me jetë pasi Policia ia konfiskoi kamionetën me dru, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

 

Ngjarja ka ndodhur më 10 maj 2026 rreth orës 10:00.

Sipas informatave, patrulla policore kishte ndaluar një kamionetë që transportonte dru dhe gjatë kontrollit kishte konstatuar se drejtuesi nuk posedonte patentë shoferi.

Burimet bëjnë të ditur se automjeti dhe lënda drunore janë konfiskuar, pasi nuk posedonin dokumentacionin përkatës për prejardhjen e druve.

Sinjali mëson se pas këtij veprimi, i dyshuari L.M. ishte revoltuar dhe kishte filluar të bëhej agresiv ndaj policëve.

Sipas dëshmitarit okular, ai kishte kërcënuar zyrtarët duke u thënë: “Kam me ju vra krejt se nuk me njihni mu.”

Sinjali mëson se i mituri kishte tentuar të largohej me kamionetë, por kur policët ndërhynë për ta ndalur, ai dyshohet se sulmoi fizikisht njërin nga zyrtarët policorë, duke i shkaktuar lëndime në dorë dhe duke ia dëmtuar uniformën.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të Prokurorit është ndaluar për 24 orë.

Ndërkohë, është bërë e ditur se automjeti dhe drutë janë konfiskuar, ndërsa Pylltaria do të verifikojë prejardhjen dhe vendin e prerjes së lëndës drunore.