Deputeti i VV-së thotë se ligjërisht i takonin deri në 8 mijë euro, por vendosi të mos aplikojë.
Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Ermal Sadiku, ka bërë të ditur se ka refuzuar të aplikojë për pagën kalimtare që u takon deputetëve deri në konstituimin e ri të institucioneve.
Në një reagim publik, Sadiku ka thënë se ligjërisht i takonin rreth 7 deri në 8 mijë euro, por ka vlerësuar se për të nuk do të ishte morale t’i merrte ato para.
“Sot vendosa të mos aplikoj për të. Mendoj që për mua nuk është e moralshme sepse kam mundësi të mbijetoj edhe në mënyra të tjera”, ka shkruar ai.
Sadiku ka ironizuar edhe me mënyrën e shpenzimit të parasë publike, duke përmendur tenderët njëburimorë dhe aferat energjetike.
“Prapë s’po muj me marrë pare prej shtetit tim pa punu”, është shprehur ai.
Megjithatë, deputeti i VV-së ka theksuar se e konsideron të drejtë që deputetët pa të ardhura të tjera të aplikojnë për këtë pagesë.
“Mendoj që është krejtësisht morale për deputetët që kanë aplikuar për këtë pagë dhe që realisht nuk kanë të ardhura të tjera”, ka deklaruar Sadiku.