Kosova në ‘radarin strategjik’ të SHBA-së, paralajmëron eksperti austriak: Anëtarësimi në NATO, më afër se kurrë!”

Rezoluta e prezantuar nga kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Laëler për mbështetjen e integrimit të Kosovës në NATO përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në diskursin politik në Shtetet e Bashkuara lidhur me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

 

Duke theksuar elemente si qeverisja demokratike, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike, kjo nismë synon të ndërtojë një argument politik në favor të anëtarësimit të Kosovës në Aleancë.

E në lidhje me këtë rezolutë, për “Bota sot” ka folur eksperti austriak, Gunther Fehlinger, i cili iniciativën e kongresmenëve amerikanë e cilësoi si shumë të rëndësishme.Sipas tij, kjo gjë konfirmoi se Kosova është në “radarin strategjik” të SHBA-së dhe se është një kandidate potencionale e NATO-s.

 

“Iniciativa e kongresmenëve amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Laëler është politikisht shumë e rëndësishme dhe duhet të interpretohet si një shprehje e qartë e mbështetjes së vazhdueshme dypartiake amerikane për Kosovën. Ajo konfirmon se Kosova është fort në radarin strategjik në Uashington dhe se rruga e saj drejt NATO-s merret seriozisht në nivelet më të larta politike.

Rezoluta me të drejtë thekson qeverisjen demokratike të Kosovës, shoqërinë e saj civile të gjallë dhe angazhimin e saj për bashkëjetesë multietnike. Këto janë pikërisht kredencialet që e bëjnë Kosovën një kandidate të natyrshme për anëtarësim në NATO dhe një shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas Fehlingerit, Kosova dhe e ardhmja e saj varen nga SHBA dhe rrjedhimit, potencoi se, shtohet nevoja që lidershipi i shtetit tonë të forcojë edhe më shumë lidhjet me Uashingtonin.

“Siguria, sovraniteti dhe e ardhmja e Kosovës në NATO varen në thelb nga Shtetet e Bashkuara. Mbështetja politike, mbështetja financiare dhe partneriteti ushtarak i SHBA-së janë të domosdoshme. Minimi i kësaj marrëdhënieje për pozicionim politik të brendshëm është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë.

Kosova ka nevojë për lidership që e kupton gjeopolitikën, respekton aleancat dhe ndërton në mënyrë aktive lidhje të forta me Uashingtonin”.

Më tej, eksperti austriak, shtoi se, duke parë gjithë zhvillimet, me një mbështetje të SHBA-së dhe Trump, Kosova mund të bëj hapa historik drejt anëtarësimit në NATO.

“Duke parë përpara Samitin e NATO-s 2027, dritarja e mundësisë është reale. Me mbështetje të fortë të SHBA-së – përfshirë edhe nga një administratë e mundshme e udhëhequr nga Trump – Kosova mund të arrijë një përparim historik dhe të ecë drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse Kosova është e bashkuar, e qëndrueshme dhe plotësisht e lidhur me partnerin e saj kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara”, shpjegoi ai.

Në fund, Fehlinger bëri një përmbledhje të asaj se çfarë tregon dhe sinjalizon rezoluta e paraqitur në Kongresin Amerikan, si dhe kishte disa mesazhe për Kosovën.

“Në përmbledhje:

Kjo rezolutë është një sinjal i fortë dhe inkurajues nga Uashingtoni.

Por Kosova tani duhet të vërë në rregull shtëpinë e saj.

Të përfundojë kriza politike.

Të formohen institucione të qëndrueshme.

Të rindërtohet dhe forcohet partneriteti me SHBA-në.

Nëse Kosova vepron me vendosmëri tani, qëllimi është i arritshëm: Kosova në NATO deri në vitin 2027”, përfundoi Gunther Felinger për “Bota sot”.