Analisti thotë se kryeministri nuk kishte interes për Osmanin dhe fajëson atë për krizën politike.
Analisti politik, Visar Ymeri, e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për dështimin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
Në një paraqitje në emisionin VV Show, Ymeri ka deklaruar se Kurti që nga fillimi nuk ka qenë i interesuar që Vjosa Osmani të vazhdojë edhe një mandat tjetër si presidente.
Sipas tij, kjo ka qenë e qartë që pas përfundimit të zgjedhjeve, duke shtuar se kryeministri ka tentuar të krijojë përshtypjen se ishte i gatshëm ta mbështeste Osmanin, ndërsa fajin t’ia atribuonte palëve të tjera.
Ymeri ka vlerësuar se Osmani dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë menaxhuar mirë situatën politike, duke e paraqitur se ajo mund të siguronte votat, por nuk kishte mbështetjen e Kurtit.
Ai theksoi se qytetarët duhet ta dinë se vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të këtij refuzimi.
“Vjosa Osmani sot nuk është presidente, për shkak se Albin Kurti nuk ka dashur ta bëjë presidente. Dhe po shkojmë në zgjedhje për shkak të refuzimit të tij”, ka deklaruar Ymeri.
Në fund, ai ka përgëzuar partitë opozitare për qëndrimin e tyre në këtë proces, duke thënë se kanë parandaluar përqendrimin e pushtetit në një dorë.