Stradner: Rezoluta e kongresmenëve amerikanë për Kosovën është sinjal i fortë politik, e afron me NATO-n

Kosova mori një shtytje politike në synimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, aleancës ushtarake që ndërhyri më 1999 për t’i dhënë fund luftës, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën këtë javë një rezolutë në mbështetje të aspiratës së saj të kamotshme.

 

Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, nxiti gjithashtu reagim të menjëhershëm nga Serbia, e cila rregullisht e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për Ivanа Stradnerin nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington (FDD), rezoluta është “sinjal i fortë politik, pasi e afron Kosovën më pranë NATO-s në kuptimin strategjik”.

“Në letër, Kosova mund të mos jetë shumë më afër anëtarësimit, duke qenë se katër aleatë të NATO-s ende nuk e njohin, por ky është hap në drejtimin e duhur në një kohë kur gjendja e sigurisë në rajon po përkeqësohet”, thotë Stradner për Radion Evropa e Lirë.

Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Ajo gjithashtu është aktualisht duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të zgjasë deri më 2028.

Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, i cili shërben si rrugë për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.

Pranimi i një anëtari të ri kërkon njëzëshmëri brenda aleancës, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin më të ri në Evropë.

Stradner vlerëson se nismat në Kongres, siç është kjo rezolutë, mund të mos jenë në gjendje t’i detyrojnë aleatët e NATO-s të ndryshojnë qëndrimet e tyre, por ato formësojnë mjedisin politik duke treguar se Uashingtoni e sheh Ballkanin si një çështje të papërfunduar strategjike dhe pret më shumë unitet brenda aleancës.

“Ato gjithashtu dërgojnë sinjal të qartë në debatin e brendshëm amerikan se nuk është koha për të kufizuar apo tërhequr angazhimet ushtarake amerikane nga aleanca në Ballkan, pavarësisht zërave të herëpashershëm në këtë drejtim. Një prani e qëndrueshme ushtarake e SHBA-së në Evropë mbetet thelbësore për parandalimin dhe stabilitetin afatgjatë”, thekson ajo.

Ka pasur zëra muajt e fundit se SHBA-ja mund t’i tërheqë trupat e saj nga NATO-ja, përfshirë nga misioni paqeruajtës i saj në Kosovë, KFOR.