Ndryshe nga dje, LDK-ja sot mori vendim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve.

 

Nga LDK, Besian Mustafa ka konfirmuar për RTKlive se në këtë takim do ta përfaqësojë ish-kryetarja e Grupit Parlamentar dhe deputetja Jehona Lushaku-Sadriu.

Takimi është planifikuar të mbahet të enjten në orën 15:00 në Kuvend. “Po, nesër në orën 15:00 në Kuvend, nga LDK do të marrë pjesë znj. Jehona Lushaku”, ka deklaruar Mustafa.

Lidhur me ftesën e bërë nga Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar sot Presidenca.

“Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Haxhiu sot fillimisht e ka takuar kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin, me të cilin kanë diskutuar për procesin zgjedhor, që duhet të mbahet brenda 45 ditësh.