Sipas burimeve të Gazeta Minuti, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 7 qershor, pas zhvillimeve të fundit politike dhe shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur institucionet kanë dështuar të zgjedhin presidentin e ri, duke e futur vendin në një situatë të re politike që çon drejt zgjedhjeve. Sipas afateve kushtetuese, në rast të moszgjedhjes së presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje brenda një periudhe të caktuar kohore.
Burimet e Gazeta Minuti bëjnë të ditur se data 7 qershor është opsioni më i mundshëm dhe tashmë po qarkullon në qarqet politike si dita kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit.
Kujtojmë se edhe skenarët zyrtarë kanë përmendur këtë datë si një nga opsionet e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vend.
Zhvillimet e ardhshme pritet të konfirmojnë zyrtarisht datën, ndërsa vendi hyn në një tjetër periudhë të nxehtë politike.