Lista e LDK-së me 15 nënshkrime ishte përgatitur më 25 prill

Lista me 15 nënshkrime e publikuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për çështjen e Presidentit rezulton të jetë përgatitur që më herët, konkretisht të shtunën, më 25 prill, në kulmin e zhvillimeve politike rreth zgjedhjes së kreut të shtetit, raporton Gazeta Minuti.

Kjo datë përkon me periudhën kur partitë politike ishin nën presion të madh për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale, pasi afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit po afrohej drejt fundit .

Megjithatë, edhe pse lista ishte përgatitur disa ditë më parë, ajo u bë publike vetëm më vonë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke ngritur dyshime dhe debate në opinion nëse dokumenti ishte përdorur si mjet politik në momentin e duhur.

Po ashtu, dokumenti në fjalë nuk përmban askund emrin e Vjosa Osmani si kandidate për Presidente, ndërsa në përshkrim përdoret termi “kandidatin e LDK-së për President”, që nënkupton gjininë mashkullore, shkruan Gazeta Minuti.

Këto zhvillime kanë shtuar paqartësitë rreth qëndrimit të LDK-së dhe kanë nxitur diskutime të reja për emrin që kjo parti synon të propozojë për postin më të lartë shtetëror.