Profesori i të drejtës, dhe njëheri edhe ish- gjyqtare i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka folur për situatën politike në vend, pas dy seancave të jashtëzakonshme në Kuvend, ku nuk është arritur zgjedhja e presidentit.
Sipas tij, shkuarja në zgjedhje mund të sjellë rreziqe për funksionimin institucional të shtetit.
“Po e rrezikojmë shtetin me këto situata, sepse nëse shkojmë në zgjedhje, kryeministri është në detyrë dhe asnjë faktor i jashtëm nuk e takon deri sa të bëhet kryeministër me legjitimitet dhe legalitet të plotë. Këto janë elemente tepër negative dhe nuk është dashur të shkojmë në zgjedhje. Është dashur të gjendet ndonjë modus për të arritur një zgjidhje dhe të përcaktohet një person që duhet të jetë president i Kosovës, i cili sipas mendimit tim duhet të jetë edhe politik dhe partiak”, ka thënë Kryeziu.
Ai është pyetur edhe për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit në rast të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese ka thënë se brenda 34 ditëve duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por kjo nuk ndodh automatikisht. Duhet sërish një dekret. Presidentja ka kompetencë kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit, dhe këto 34 ditë vlejnë vetëm pas dekretimit, jo pasi të përfundojë afati”, u shpreh Kryeziu.