Paralajmërimi i fortë i Dash Sulës për bizneset: Do t’iu vijmë papritur për kontrolle

Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka konfirmuar marrjen e masave të forta disiplinore ndaj inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, pas skandalit të misrit të kontaminuar me aflatoksinë B1.

 

Sipas tij, 10 inspektorë janë shkarkuar nga detyra, ndërsa në total janë dhënë 15 masa disiplinore, në një nga rastet më të rënda të konstatuara së fundmi në fushën e sigurisë ushqimore.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi që Sula zhvilloi me kryeinspektorët e qarkut të Korçës, ku në fokus ishte forcimi i kontrollit në treg dhe rritja e përgjegjshmërisë së strukturave inspektuese. Ai theksoi se rasti i Shkodrës përbën një sinjal të qartë për çdo inspektor që neglizhon detyrën, duke lejuar hyrjen në treg të produkteve të rrezikshme.

“Jo, nuk janë jashtë funksionit. Ka problematika pa diskutim. Unë kam ditën e 69-të në krye të inspektoriatit dhe ju bëj me dije se ndoshta një vendim para dy ditësh, kur ka marrë inspektoriati i përgjithshëm për rastin e Shkodrës, 15 masa disiplinore ku 10 prej tyre janë shkarkim nga detyra i inspektorëve, për shkak të hyrjes së misrit me afotoksinë B1 i cili është i dëmshëm edhe për kafshët. Unë i kam vendosur dhe për çdo rast sinjalizimi ne do ti ndëshkojmë.

Çdo masë administrative që ankimohet nga subjekti, ka dy rrugë ose rri në fuqi masa e vendosur nga inspektimi ose kjo masë shfuqizohet por me një kusht, në rast padrejtësie që fillon masë administrative për inspektorin”, theksoi Sula, teksa më tej shtoi se inspektimet në terren do të intensifikohen dhe do të jenë të befasishme, duke përfshirë si subjektet tregtare, ashtu dhe linjat e prodhimit.

Në lidhje me funksionimin e inspektoriateve, kreu i institucionit pranoi se ka problematika, por hodhi poshtë pretendimet se ato janë jashtë funksionit. Sipas tij, situata po monitorohet dhe çdo rast i denoncuar do të trajtohet me seriozitet maksimal.