Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka kujtuar kontratën e parë të nënshkruar në vlerë prej 280 milionë dollarë për ndërtimin e spitalit për ‘Mbrojtjen e nënës dhe fëmijës’ në Rusi.
Sipas Pacollit, ky spital u ndërtua nga duart shqiptare, që sot konsiderohet si spitali më funksional dhë më moderni në Federatën Ruse.
„Më datën e 22 korrikut, në një ditë të nxehtë të vitit 1992, në qytetin Jakutsk (kryeqyteti i Jakutis) nënshkrova kontratën e parë me vlerë prej 280.000.000 $, për ndërtimin e spitalit për “mbrojtjën e nënës dhe fëmijës”. Nga duart shqiptare u ndërtua spitali që edhe sot konsiderohet si më funcionali dhe më moderni në Federatën ruse“, tha Pacolli.
Tutje ai tha se nga kjo kontratë, 4 mijë shqiptarë nga Kosova u punësuan.
„Isha i lumtur për suksesin (ishte kontrata e parë e këtij dimenzioni për Mabetexin) dhe për faktin se krijova mundësi të menjëhershëm për punësimin e mbi 4000 shqiptarëve nga Kosova të cilët kishin shumë nevojë për punësim… besa atëherë isha edhe shumë më i ri dhe me pëlqenin sfidat“, tha ai.