Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi së fundi është paraqitur nëpër media, duke ‘sulmuar’ dhe kritikuar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe Qeverinë. Në intervistat e dhëna së fundi nëpër media, ai ka folur ashpër për kryeministrin Kurti duke e quajtur edhe mashtrues.
Ish-deputeti Krasniqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti gjithçka që ka folur ka gënjyer. Ai ka thënë se i ka kërkuar Kurtit ta respektojë himnin e Kosovës, por sipas tij, “i ngrijke këmbët si thiu në akull”.
“Me Amerikën është zor me u pajtu. Unë nuk pajtohna që meritojmë qekaq. Nuk meritojmë me ardh në qeveri, një qeveri me një njeri që gjithçka që ka fol na ka mashtru. Unë jam kon aty, nuk jena çu për himnin e Kosovës. Qu bre çohum, i ngulke këmbët si thiu në akull, jo nuk çohna”, tha ai.
Krasniqi thotë se Kosova nuk e meriton një mashtrues si Albin Kurti, siç e quan ai.
“Krejt çka ka thënë para se me ardh në pushtet ka rrejt. More gjithçka, nuk shkoj në Bruksel tash me vrapë e në Bruksel. Kosova nuk meriton asi mashtruesi”, tha Krasniqi.
Janë bërë më tepër se një vit që kur Albin Kurti është në krye të Qeverisë së Kosovës, ndërsa Krasniqi ka kohë që jeton dhe vepron jashtë Kosovës. Mirëpo, ai është rikthyer këto ditë në Kosovë, dhe po shfaqet nëpër media duke ‘sulmuar’ kryeministrin Kurti.
Pse po ndodhë kjo tani, dhe a ka një agjende para vetes ai? Cili është qëllimi i tij, pasi shumë akuza të tij, nga figura të njohura të diasporës u quajtën gënjeshtra? A ka motive personale, si qëllimi i përfitimit të tenderëve, mospërfitimi i tyre apo çka e shtyn Krasniqin për ato akuza?
Lidhur me këtë ҫështje kanë folur njohësit e ҫështjeve politike në Kosovë.
Kështu, Faton Mehmeti, thotë se, këto deklarata të Florin Krasniqit vijnë pas dështimit të tij për të marrë Vetëvendosjen bashkë me Dardan Molliqajn.
Mehmeti: Florin Krasniqi me Albin Kurtin s’mund të bëjë pazare ҫka e shtyn edhe më tepër të jetë zhurmues
“Dështakët gjithnjë janë të zhurmshëm dhe të frustruar, i tillë është edhe Florin Krasniqi. Pasi dështoi në përpjekje për t’ia marr VV-në Albin Kuryit, dështoi bashkë me puçistët e tjerë në krye me Dardan Molliqajn. Duke parë se VV arriti fitore historike, me qeverisjen e të cilës janë të kënaqur shumica e qytetarëve-ҫka nënkupton qëndrim të gjatë të saj në pushtet, Florini është tërbuar”, vlerëson Mehmeti.
Ai thotë se akuzat e tij janë të pabaza dhe mund të jenë të shtyra nga njerëzit e PDK-së.
“Akuzat e tija janë pa baza, inatçore dhe krejtësisht meskine. Nuk habitem nëse Florini është i shtyrë edhe nga njerëz të PDK-së, këtij njeriu nuk i besoj andaj edhe është e pritshme çdo gjë nga soji i tij. Kështu që, Florin Krasniqi, me Albin Kurtin s’mund të bëjë pazare ҫka e shtyn edhe më tepër të jetë zhurmues. Fatkeqësisht, mediat s’duhet t’i kushtojnë rëndësi një dështaku si soji i tij dhe i Dardan Molliqaj”, thotë Mehmeti për ‘Bota sot’.
Ndërkaq analisti tjetër politik, Skender Mulliqi thotë se Krasniqi u ‘zgjua nga gjumi’ tani për të marrë ndonjë tender të ri ose diçka tjetër.
“Ish anëtari i LVV-së dhe ish-deputeti nga kjo parti, Florin Krasniqi, pas një heshtje të gjatë, u zgjua bukur rrmisht nga gjumi. Pse? shtrohet pyetja logjike. Më duket mua së i ka ra ndërmend së duhet me marr ndonjë tender të ri apo diҫka tjetër. Nuk di unë për vete ndonjë justifikim tjetër, mund edhe të gabohem”, vlerëson Mulliqi.