Kjo është procedura që duhet ndjekur për t’a përfituar pensionin shtesë prej 150€

Në Kosovë, në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, një vëmendje e veçantë po i kushtohet pensionistëve, të cilët pritet të përfitojnë drejtpërdrejt nga masat mbështetëse.

Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se pensionistët do të përfitojnë nga një pension shtesë prej 150 eurosh, si ndihmë financiare për të përballuar rritjen e kostos së jetesës dhe inflacionin.

Sipas këtyre burimeve, përfitimi i këtij pensioni shtesë do të jetë relativisht i thjeshtë, pasi do të përfitojnë të gjithë ata që janë të regjistruar në regjistrin e pensioneve dhe marrin pension mujor. Kjo do të thotë se nuk do të ketë nevojë për aplikime shtesë apo procedura të komplikuara.

Ky vendim synon të shmangë burokracitë dhe të sigurojë që mbështetja të arrijë tek përfituesit në mënyrë të shpejtë dhe efikase, duke përdorur të dhënat ekzistuese të institucioneve përkatëse.

Pensionistët konsiderohen ndër kategoritë më të ndjeshme në shoqëri, ndaj kjo masë shihet si një hap i rëndësishëm për lehtësimin e situatës së tyre ekonomike.

Megjithatë, kjo mbështetje mbetet e lidhur me miratimin përfundimtar të pakos në institucionet përkatëse, ndërsa një njoftim zyrtar pritet të bëhet publik në ditët në vijim.