Njoftim pozitiv edhe për lehonat – Ja sa do të përfiojnë nga Pakoja e Rimekëmbjes

Në Kosovë po vazhdojnë diskutimet intensive për një pako të re mbështetëse sociale dhe financiare, e cila synon të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët dhe familjet në kushtet e rritjes së kostos së jetesës dhe inflacionit.

Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se një nga ndryshimet më të rëndësishme që po shqyrtohet në kuadër të kësaj pakoje është edhe rritja e mbështetjes për lehonat. Sipas këtyre burimeve, po diskutohet që pagesa prej 70% të pagës, e cila aktualisht jepet për 6 muaj, të zgjatet në 1 vit të plotë.

Kjo masë, nëse miratohet, do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në politikat sociale, duke ofruar më shumë stabilitet financiar për nënat e reja gjatë periudhës së kujdesit për fëmijët. Sipas burimeve, synimi i kësaj rregulloreje është mbështetja më afatgjatë e familjeve dhe nxitja e mirëqenies sociale.

Në kuadër të kësaj pakoje, pritet që të përfshihen edhe masa të tjera mbështetëse për kategori të ndryshme sociale, përfshirë fëmijët, pensionistët dhe punonjësit e sektorit privat, të cilët konsiderohen ndër më të prekurit nga rritja e çmimeve.

Sipas informacioneve të siguruara, të gjitha këto masa fillimisht duhet të kalojnë në procedurë votimi në Kuvend, më pas të miratohen përfundimisht nga Qeveria, dhe vetëm pas këtij procesi mund të nisë zbatimi i tyre praktik.