Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar sqarime nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, për të cilën ai tha se ka përmbajtur pasaktësi si rezultat i interpretimit të gabuar të të dhënave.
Zemaj theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e saj dhe përputhshmërinë me të vërtetën historike, ndërsa kërkoi edhe sqarime për financimin dhe shpërndarjen e materialeve të lidhura me të.
“Për rëndësinë e kësaj ekspozite, e cila për pjesët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe deklaratat që kanë dalë nga protagonistët e këtyre ngjarjeve nuk rezultojnë me të vërtetën historike. Është një devijim që konsiderohet i qëllimshëm ose i paqëllimshëm, por që duhet të vërtetohet në aspektin institucional edhe kjo pjesë e përgjegjësisë ju takon edhe juve si kategori e re institucionale për mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare. Shohim cili ka qenë financimi i shtetit edhe për këtë ekspozitë ose librat të cilat tash përfolen, ndër librat që ekziston pjesa faktike financimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku është shpërndarë, kush i ka shpërndarë, cili ka qenë qëllimi, a ka pasoja nga këto devijime historike të cilat janë të dëmshme, të cilat kanë të bëjnë me ngjarjet tragjike të luftës, ku flitet për masakra, evidentimin e numrit të njerëzve, familjarëve edhe diçka që lidhet që është temë edhe sensitive, por është në fund të fundit është çmimi që ka paguar populli shqiptar për liri dhe pavarësi, sidomos në fundit e fundit”, pyeti ai, raporton eo.
Ministri Andin Hoti tha se është krijuar një perceptim i gabuar publik për përgjegjësinë e ministrisë që ai drejton lidhur me këtë ekspozitë, duke theksuar ndarjen e qartë të kompetencave institucionale në Kosovë.
“Ajo çka ka ndodhë, dy javët e fundit, dhe në veçanti ajo ngjarje në Prishtinë, padasht me hi në debat politik këtu, krijimi i një opinioni publik se qenka ministria që unë udhëheq, pavarësisht emërtimit që e ka, dhe tash po ua shpjegoj pse, ëh, ka një lloj përgjegjësie në raport me atë çka ka ndodhë në ekspozitën në shesh. Më leni me ju tregu që në Republikën e Kosovës mekanizmat, institucionet janë të ndara në fushëveprimtarinë e tyre. Rrjedhimisht, mekanizmi ose institucioni, instituti, që bën përmbledhjen e historisë nuk jam unë, është Instituti i Historisë. Institucioni që bën verifikimin e fakteve është Instituti për Krimet e Luftës, IKKl-ja, që është themelu para dy-tre vjetësh. Ministria e ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave, reagimin. Dhe çka kam bo unë është, nuk po thom që jam i pari, e ndër të parët që kam reagu për këto, për ekspozitën çka qe në shesh”, tha ai.
Pas kësaj, deputeti Armend Zemaj reagoi sërish duke kërkuar sqarime shtesë, ndërsa kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e akuzoi atë për politizim të çështjes.
Ndërkohë, ministri Andin Hoti shtoi se iniciatori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, nuk është kryeministri Albin Kurti, por bëhet fjalë për një iniciativë individuale të vetë autorit.
Zemaj, ka pasur përplasje edhe me deputeten e LVV’së, Fatmire Kollçaku.
‘’Për keqardhje je edhe ti që po bën politikë me këto tema, po e ndërlidh me aty ku s’duhet. Nëse e konsideroni këshilltar i kujt ka qenë, më e rëndësishme është kjo, se ju doni me hedh gurin në një kohë kur një njeri është shkarku’’, ka thënë Kollçaku.
Ndërsa Zemaj, ka thënë se kryetari i Prishtinës, e ka larguar ekspozitën menjëherë, duke e pyetur Kollçakun se nëse kjo e ka tërhequr librin.
‘’Këshilltar i kujt ka qenë. Kryetari ( rama ) i ka hjek, si i ka lexu i ka hjek, i ka largu menjëherë. A i ke tërhjek librin ti? A ia ke tërhjek fondet, a ia ke kërku kthimin e fondeve’’, ka thënë Zemaj.