Refuzoi të takohet me Abdixhikun, LDK-ja i përgjigjet Haradinajt

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i është përgjigjur kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili një ditë më parë deklaroi se nuk ka interes të takohet me Lumir Abdixhikun për ta pyetur rreth diskutimeve me kryeministrin Albin Kurti mbi çështjen e Presidentit.

 

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kërkesa e Abdixhikut për takim dhe diskutim me Haradinajn ka qenë një akt i zakonshëm i komunikimit politik dhe institucional, në funksion të dialogut dhe bashkëpunimit të nevojshëm në rrethanat aktuale.

“Fatkeqësisht, në vend të një qasjeje që do të kontribuonte në frymën e bashkëpunimit, kemi parë interpretime që nuk i shërbejnë dialogut të domosdoshëm ndërpartiak,” shkroi ajo në Facebook.

 

Lushaku tha se, si parti, besojnë se në momente të rëndësishme për vendin, komunikimi politik duhet të karakterizohet nga maturia, respekti reciprok dhe përgjegjësia publike.

Haradinaj u shpreh se nuk e sheh të arsyeshme të takohet me Abdixhikun për të diskutuar mbi atë që ky i fundit ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti.

“Së pari, nëse Lumiri dëshiron të marrë rolin e zmadhuesit të Albinit, le ta marrë… Unë nuk mund të shkoj të takohem me Lumirin për të folur për atë që ka biseduar me Albinin. Nuk më intereson. Nuk është pjesë e imja. Le t’i trajtojë ai të tjerët. Ose Bedrinë, sepse Bedria e Lumiri kanë shkruar disa herë në takime…”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.

Më 06.04.2026, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zhvilloi takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për një ujdi për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Asnjë marrëveshje nuk u arrit.

 

Abdixhiku, pas takimit me Kurtin, paralajmëroi vazhdimin e takimeve edhe me liderët e tjerë politikë, përfshirë AAK-në dhe PDK-në.

“Nuk kemi ndonjë të re; takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë do të takoj edhe liderët e tjerë,” tha ai.

“Çdo marrëveshje për presidentin e ardhshëm është e mirëseardhur,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, optimist për një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit u shpreh kryeministri Albin Kurti.