Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me rastin e qytetarit Korab Bajgora, i cili përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook ka ofenduar dhe kërcënuar rëndë atë dhe familjen e tij.
Gjatë një interviste në Dukagjin, moderatori Ermal Panduri bëri të ditur se i dyshuari merret me shitjen e kollomoqit.
Duke komentuar rastin, Haradinaj u shpreh se kushdo që shkel ligjin do të përballet me pasojat.
“Kushdo, të gjithë do ta marrin ndëshkimin që u takon, qoftë nga ligji apo nga Zoti. Askush nuk është mbi këtë dhe”, deklaroi ai, transmeton Indeksonline.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Korab Bajgorës, nën dyshimin për veprën penale të kërcënimit ndaj ish-kryeministrit, njëherësh liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe familjes së tij.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin K.B.”, deklaroi Nikçi.
Sipas informacioneve të fundit, Korab Bajgora aktualisht ndodhet i hospitalizuar dhe po trajtohet në Klinikën e Psikiatrisë.