Një shumë e madhe parash është zhdukur në rrethana të dyshimta në Prishtinë, ku një i ri ka raportuar se i janë vjedhur 30 mijë euro pas një nate në diskotekë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 05.04.2026, rreth orës 05:00, në rrugën “Kadri Zeka”, në afërsi të “Gizzi Grill”, ku sipas informacioneve, rasti është raportuar në Stacionin Policor.
Siç mëson Sinjali, viktima A. B kishte qenë në diskotekën “LIT”, ku gjatë qëndrimit ishte shoqëruar me disa persona dhe kishin qëndruar bashkë në një tavolinë. Gjatë kësaj kohe, ai kishte treguar se posedonte me vete një shumë prej 30 mijë euro.
Më pas, së bashku me të njëjtit persona, ai kishte vazhduar në drejtim të “Gizzi Grill”, ku në një moment, teksa po vendoste çelësat e veturës në çantë, ka vërejtur se i mungonte shuma e parave.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar në stacion policor disa persona që kanë qenë të pranishëm, në cilësinë e dëshmitarëve.
Në lidhje me rastin janë intervistuar gjithsej gjashtë dëshmitarë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e të dyshuarit.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.