Në Gjermani, njëra pas tjetrës po mbyllen kishat tradicionale katolike dhe protestante. Në të njëjtën kohë, po hapen gjithnjë e më shumë objekte kulti të feve të tjera.
Kishat e mëdha të krishtera në Gjermani, sidomos ajo katolike dhe protestante, po humbasin anëtarë. Sot rreth 36,6 milionë njerëz në Gjermani i përkasin këtyre dy kishave, që është rreth 44 për qind e 83,5 milionë banorëve.
Për këtë arsye, gjithnjë e më shpesh kishat katolike dhe protestante mbyllen, rikonvertohen ose reduktohen. Në media shfaqen tituj si: “Gjermania po bëhet pa fe” ose “Më shumë jofetarë sesa anëtarë të kishave”.
Por a është vërtet kështu? Sipas të dhënave të vitit 2020 nga Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë, vetëm myslimanë në Gjermani ka mbi 5,3 milionë. Sipas një studimi të vitit 2024 të Kishës Protestante, në Gjermani jetojnë 3,8 milionë të krishterë ortodoksë.
Ka gjithashtu hebrenj, budistë, bahai – si dhe një numër në rritje të hinduistëve. Për shumicën e këtyre grupeve ka vetëm vlerësime, jo statistika të sakta. Është e qartë se feja në Gjermani po ndryshon gjithnjë e më shumë pamjen e qyteteve. Sot në Gjermani ka rreth 20 tempuj budistë.
Shembull: Erlangeni në Bavari
Erlangeni në jug të Gjermanisë ka rreth 119.000 banorë dhe është një shembull i qartë i diversitetit fetar në hapësirën urbane.
Sigurisht, ende ekzistojnë kishat tradicionale: katolike dhe protestante, si dhe komunitete ortodokse greke dhe ruse.
Para pak më shumë se tre vitesh, Kisha Ortodokse Kopte mori në përdorim një kishë katolike. Diakoni Ragaj Edward Mata thotë se komuniteti është rritur nga rreth 50–60 anëtarë në mbi 200, ndërsa trendi vazhdon të rritet. Përveç kësaj, rreth 40 studentë janë pjesë e komunitetit.
Dy xhami të mëdha në qytet planifikojnë zgjerim. Njëra prej tyre është “Xhamia e Paqes”, që mbledh besimtarë nga kultura të ndryshme myslimane dhe predikon në gjermanisht.
Po përgatitet edhe ndërtimi i një sinagoge të re; Bavarisë ka vënë në dispozicion tokë pranë universitetit.
Në një periferi, shoqata “Hindu Tempel Franken” ka blerë tokë për ndërtimin e tempullit Shiva-Vishnu. Ndërtimi pritet të fillojë më së voni në vitin 2027. Në universitet studiojnë mbi 2.000 studentë nga India – komuniteti më i madh jermane në Erlangen.
Gjithnjë e më shumë tempuj hindu dhe xhami
Ndërtimi i tempujve hindu në Gjermani po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë. Vetëm në Frankfurt ka pothuajse dhjetë tempuj të vegjël. Ka gjithashtu në Këln, Hamburg, Mynih dhe Berlin.
Nga viti 2014 deri në 2024, numri i banorëve të Berlinit me shtetësi indiane është rritur më shumë se dhjetëfish – në mbi 41.000.
Në qershor të këtij viti në Berlin do të hapet tempulli më i madh hindu në Gjermani. Përfaqësuesit thonë se komuniteti është në rritje dhe ka nevojë për një qendër fetare ku të rinjtë mund të mblidhen.
Në Erlangen, shumë pjesëmarrës në projekt janë inxhinierë ose menaxherë, për shembull në “Siemens”, ndërsa në Berlin shpesh punojnë në “Amazon”.
Po ndërtohen dhe zgjerohen xhami
Sipas DITIB (Unioni Turko-Islamik për Çështje Fetare), në Gjermani ka 862 komunitete xhamish të lidhura me Dijanetin në Ankara.
Vetëm vitin e kaluar u hapën xhami në Ferdeu, Kornwestheim dhe Kengen. Gjithashtu, në Gisen dhe Vilih u hodhën themelet për xhami të reja. Disa projekte, si ajo në Krefeld, kanë ngecur prej vitesh.
Komuniteti mysliman Ahmedia, me origjinë nga Pakistani, hap çdo vit disa xhami të reja. E fundit u hap në shkurt në Erfurt.
Sinagoga dhe “Akademia Hebraike”
Edhe komunitetet hebraike kanë projekte të reja. Me sinagogat e reja në Magdeburg (2023) dhe Potsdam (2024), tashmë të gjitha kryeqytetet e landeve kanë objekte hebraike.
Në Frankfurt po ndërtohet edhe Akademia Hebraike, që pritet të hapet në nëntor 2026. Ajo synon të jetë një qendër ndërkulturore dhe ndërdisiplinore për dialog.
Rritje e komuniteteve ortodokse
Edhe pse kishat e mëdha po zvogëlohen, po ndërtohen kisha të reja. Numri i komuniteteve ortodokse është në rritje.
Në vitin 2024, në Butzbach u hap “Kisha e Shën Pjetrit dhe Palit”, e para e këtij lloji në Evropë për Mitropolinë Ortodokse të Antiokisë.
Shumë komunitete ortodokse – serbe, rumune, ruse apo greke – po marrin në përdorim kisha të braktisura. E njëjta gjë vlen edhe për të krishterët sirianë.
Megjithatë, ndërtimi i objekteve të reja shpesh përballet me pengesa ligjore dhe burokratike.
Kisha jashtë strukturave tradicionale
Edhe komunitetet më të vogla të krishtera ndërtojnë objekte të reja. Kisha e vjetër katolike ndërtoi një objekt modern në Augsburg, ndërsa kishat protestante të pavarura gjithashtu kanë projekte të shumta.
Në Berlin, në vitin 2024, një ndërtesë e vjetër u shndërrua në një kishë moderne. Edhe komunitetet neoapostolike mbeten aktive – në Bonn, në vitin 2025, ata u vendosën në një ndërtesë të re sakrale./DW