Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do ta sjellë në Kuvend Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, një paketë ekonomike në vlerë prej 200 milionë eurosh që synon të mbështesë qytetarët më të prekur nga rritja e çmimeve dhe inflacioni. Sipas Muratit, pjesa kryesore e kësaj pakete përfshin mbështetje të menjëhershme për të gjithë punëtorët e sektorit privat, të cilët kanë pësuar humbje të konsiderueshme nga rritja e kostos së jetesës, shkruan Gazeta Minuti.
“Qeveria jonë është duke vepruar me shpejtësi për të ofruar një lehtësim të menjëhershëm për pensionistët dhe punëtorët që përballen më shumë me pasojat e inflacionit,” tha Murati. “Kjo paketë është dizajnuar që të ndikojë drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të mbështesë ata që kanë nevojë më të madhe për ndihmë financiare.”