Mësohet sa do të rritën pensionet pas Paketës Finaciare prej 200 milion euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se së shpejti në Kuvendi i Kosovës do të dërgohet për shqyrtim një paketë e madhe financiare në vlerë prej rreth 200 milionë euro. Kjo nismë synon të mbështesë rimekëmbjen ekonomike dhe të përmirësojë mirëqenien sociale të qytetarëve, në një kohë sfidash ekonomike dhe rritjeje të kostos së jetesës.

Sipas paralajmërimeve, paketa do të përfshijë një sërë masash konkrete që prekin drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme, përfshirë pensionistët, të cilët konsiderohen ndër më të goditurit nga zhvillimet ekonomike të fundit.

Burime të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se një ndër pikat kryesore të kësaj pakete do të jetë rritja e pensioneve. Sipas këtyre burimeve, rritja pritet të jetë e konsiderueshme dhe do të reflektojë një përmirësim të dukshëm në të ardhurat mujore të pensionistëve.

Madje, në terma mesatarë, bëhet e ditur se pensionet mund të rriten afërsisht në nivelin e njëjtë me shumën aktuale që përfituesit marrin, çka në praktikë nënkupton një dyfishim të tyre. Një hap i tillë, nëse realizohet, do të përbënte një ndër ndërhyrjet më të mëdha në skemën pensionale në vend.

Megjithatë, detajet e plota të paketës ende nuk janë bërë publike, ndërsa pritet që pas procedimit në Kuvend të zhvillohet debat parlamentar para se të merret vendimi përfundimtar. Nëse miratohet, kjo paketë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra pensionistë në Kosovë.