Skandali me njehsorët, KEDS do i kompensoj këta qytetarë

Të gjithë njehsorët elektrikë të vendosur nga KEDS-i masin energjinë elektrike saktë.

Ndërsa, në rast të çdo devijimi të mundshëm të gjithë qytetarët do të kompensohen.

 

Kështu, tha në një konferencë për media, zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, e cila sqaroi edhe standardet dhe procedurat që garantojnë funksionimin e saktë të tyre, si dhe çështjen e kompensimit.

Dallaveraj tha se nuk është bërë manipulim me njehsorët elektrikë.

“Fillimisht, më lejoni t’ju siguroj që të gjithë njehsorët e vendosur nga KEDS e bëjnë matjen e energjisë elektrike me saktësi. Ky është elementi kyç për çdo faturim dhe nuk është vënë asnjëherë në dyshim. Po ashtu, të gjithë njehsorët janë në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe akteve ligjore e nënligjore të Republikës së Kosovës. Devijimet e vërejtura në kohë janë karakteristikë teknike e njohur e orës së njehsorëve elektrikë dhe nuk përfaqësojnë manipulim, siç është pretenduar. Kjo gjë është e sigurt dhe madje mund të vërtetohet. Koha e këtyre njehsorëve kontrollohet gjatë procesit të instalimit. Pas instalimit, saktësia e orës sigurohet në përputhje me standardin IEC 62054-21, i cili përcakton një saktësi prej 0.5 sekonda në ditë në kushte referuese të temperaturës (pra, në 23 gradë Celsius po flasim). Ndërsa në temperatura të ndryshme të mekanizmit të kohës, devijimi në vlerë absolute mundet me ndryshua“, u shpreh ajo.

Ajo gjithashtu potencoi se qytetarët që kanë pësuar dëme do të kompensohen, madje siç e quajti ajo deri në centin e fundit, shkruan Ekonomia Online transmeton Klankosova.tv.