Sipas burimeve të afërta me Gazeta Minuti, kryeministri i Kosovës, njëherit kreu i LVV-së, Albin Kurti, tashmë ka përgatitur ftesat zyrtare për dy liderët kryesorë të opozitës: kreun e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Burimet e Gazeta Minuti bëjnë të ditur se këto ftesa pritet të dërgohen shumë shpejt, me qëllim zhvillimin e një takimi të rëndësishëm politik, ku në fokus kryesor do të jetë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.
Propozim i ri nga Kurti
Sipas të njëjtave burime të Gazeta Minuti të afërta me kryeministrin Kurti, ai nuk do të shkojë në këtë takim duarbosh. Përkundrazi, mësohet se kreu i ekzekutivit tashmë ka përgatitur një propozim të ri konkret për postin e Presidentit.
Ajo që bie në sy është fakti se emrat e kandidatëve të mundshëm nuk janë bërë ende publikë. Burimet theksojnë se Kurti ka vendosur që këto emra t’i prezantojë drejtpërdrejt gjatë takimit me liderët e opozitës, duke synuar një diskutim më të hapur dhe ndoshta arritjen e një konsensusi politik, raporton Gazeta Minuti.
Tentativë për konsensus?
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur vendi përballet me nevojën për stabilitet institucional dhe bashkëpunim ndërpartiak. Ftesa për Hamzën dhe Abdixhikun shihet si një përpjekje për të përfshirë opozitën në një proces që tradicionalisht ka qenë i tensionuar dhe shpesh i kontestuar.
Çfarë pritet?
Tashmë mbetet të shihet nëse liderët e opozitës do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës dhe nëse propozimi i ri i Kurtit do të jetë i pranueshëm për ta. Një gjë është e sigurt: takimi i paralajmëruar pritet të jetë vendimtar për drejtimin politik të vendit në javët në vijim./ Gazeta Minuti/