Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen për përfaqësuesen e Kosovës para ndeshjes vendimtare ndaj Turqisë, duke theksuar se kualifikimi në FIFA World Cup do të ishte një arritje e madhe për shtetin e Kosovës.
Kurti vlerësoi formën e mirë të ekipit, duke kujtuar se përfaqësuesja ka gjashtë ndeshje radhazi pa humbje në rrugëtimin drejt kualifikimit.
“Finalja e së martës është më shumë se e merituar. Djemtë tanë kanë punuar fort, kanë qëndruar të bashkuar dhe kanë luajtur me zemër në çdo ndeshje, brenda e jashtë vendit”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se përballja me Turqinë do të jetë e vështirë, por shtoi se edhe kundërshtari do të përballet me një ekip të fortë.
“Turqia është ekip i mirë. Por edhe ata e kanë një kundërshtar shumë të fortë. Kjo ishte energjia që pashë gjatë takimit me përfaqësuesen tonë”, u shpreh Kurti.
Kryeministri u bëri thirrje lojtarëve që të besojnë në veten e tyre dhe të japin maksimumin në fushë.
“Dilni në fushë dhe bëni atë që dini të bëni më së miri, të luani me zemër për Kosovën. Luftoni për njëri-tjetrin dhe jepni maksimumin në çdo minutë të lojës”, tha ai.
Në fund, Kurti falënderoi lojtarët, trajnerin Franco Foda dhe gjithë stafin për angazhimin dhe rezultatet e deritanishme, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i mbështesin nga kudo që ndodhen.