Qeveria ka transferuar 167 milionë euro të pashpenzuara nga buxheti i vitit 2025 në Fondin e Veçantë të Pensioneve, me synimin për të forcuar qëndrueshmërinë financiare të skemës në një moment kur sistemi përballet me presione strukturore dhe shumë pensionistë jetojnë pranë kufirit të varfërisë.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Elvin Meka, kjo është një qasje e pazakontë dhe e paprecedentë, që synon adresimin e problematikave të reformës në fushën e pensioneve.
“Është një lloj mënyre për të ndihmuar ose për të mbështetur skemën e pensioneve, e cila mesa duket në vitet që do të vijnë do të ketë një barrë akoma më të madhe sa i përket peshës në buxhetin e shtetit, jo vetëm nga rritja dhe indeksimi i pensioneve, por edhe nga vetë rritja nominale e numrave, dalja gjithmonë e më shumë e pensionistëve”, tha eksperti.
Sipas tij, kjo ndërhyrje nuk përbën një hap strukturor në mbështetje të skemës së pensioneve.
“Nuk klasifikohet në konceptin strategjik, më shumë se atë taktik dhe operacional”, nënvizoi ai.
Meka thekson se, në një situatë normale, fonde të tilla nuk duhet të ekzistonin dhe, me rritjen e mirëadministrimit, ato do të duhej të zvogëloheshin ose të eliminoheshin plotësisht.
“Kjo iniciativë e qeverisë krijon fonde të tilla, të cilat në një mënyrë apo tjetrën shkojnë për mbështetjen e skemës së pensioneve”, theksoi eksperti Meka.