Organizata joqeveritare e themeluar nga Natasha Kandiq, Fondi për të Drejtën Humanitare i ka demantuar deklaratat e autorit të librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, i cili mbrëmë tha se të dhënat për librin e tij të cilat u paraqitën edhe në ekspozitën në shesh, i kishte marrë nga lista e hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit Humanitar, ka thënë se të dhënat e paraqitura në ekspozitën e Gashit nuk përkojnë aspak me të dhënat e tyre.
Blakaj, në një përgjigje për Paparacin, ka thënë se në listën e përpiluar nga Fondi Humanitar nuk ceket askund se a kanë qenë të armatosur viktimat në momentin e vrasjes apo jo.
“Në listën tonë nuk ceket askund se ata kanë qenë të armatosur në momentin e vrasjes. Ne e kemi një listë me viktimat dhe të dhënat e tyre, por nuk e kemi paraqitur nëse kanë qenë të aramstosur apo jo”, ka thënë ai.
Përveç kësaj, Blakaj ka thënë se edhe numri i viktimave në Burgun e Dubravës është paraqitur ndryshe nga Shkelzen Gashi, me të dhënat që kanë ata si organizatë.
“Në të kaluarën kemi pasur një takim ku i kemi ftuar të gjithë të mbijetuarit e kësaj masakre dhe në listë kemi rreth 110 të vrarë, por as numri i viktimave nuk është paraqitur saktë nga Gashi”, ka thënë Blakaj për Papracin.
Shkelzen Gashi, autori i ekspozitës dhe autori i libriti “Masakrat në Kosovë” e kishte hedhur fajin mbrëmë te lista e Fondit Humanitar, duke thënë se ai i kishte paraqitur të dhënat nga lista e tyre.
Gashi ka marrë kritika të ashpëra lidhur me mënyrën e paraqitjes së të dhënave në ekspozitën në sheshin e Prishtinës, teksa kryetari i kësaj komune vendosi që ta anulojë të njëjtën.
Rama kërkoi përgjegjësi nga institucionet që e kanë financuar këtë ekspozitë.