Рlazhet boѕh jo vetëm në Ѕhqipëri, shikoni cfare po ndodh në Mal të Zi: shpreѕojmë që të vijnë njerëz..

Është mesi i korrikut dhe plazhet në bregdetin malazez janë gjysmë bosh. Ndonëse u paralajmërua për një sezon tejet të suksesshëm dhe të dhënat statistikore janë optimiste, realiteti është mëse zhgënjyes.

Punonjësit turistikë në të gjithë bregdetin janë kryesisht të pakënaqur dhe shumë prej tyre janë duke llogaritur nëse do të jenë në gjendje të paguajnë qiratë, mallrat, punëtorët, taksaj e mbiçmuara.

“Sot turistët nuk kanë ardhur akoma dhe kur do të vijnë, nuk e dimë. Me sa duket politika shtetërore, e kombinuar me krizën globale, ka prodhuar rezultate që do t’i ndjejmë të gjithë”, shkruan Volim Podgorica.me.

Me këto fjalë, një nga biznesmenët e vegjël që ka një dyqan në bregdet komenton sezonin turistik në Herceg Novi dhe bën llogaritë.

“Qiratë e mbiçmuara që paguajmë për vitin edhe pse punojmë vetëm në verë, rreth tre muaj, rrogat, taksat dhe kontributet, malli që marrim borxh kur fillon sezoni. Këto janë detyrime të mëdha për ne punëtorët sezonalë dhe ne punojmë të paktën dy të tretat e sezonit për të paguar gjithçka. Nëse arrijmë të punojmë 15 ditë për fitimin tonë, kjo është shumë mirë. Nëse sezoni është i mirë dhe më i gjatë, diçka mbetet”, thotë sipërmarrësi.

Ai shton se sezoni në atë qytet është dukshëm më i keq se vitin e kaluar.

“Nuk kemi nevojë për statistika. Vetëm hidhini një sy plazheve dhe shëtitores. Nëse ia dalim të shlyejmë borxhet, do të jetë mirë, por çfarë do të bëjmë nga shtatori nuk e di”, thotë ai.

Tregime të ngjashme vijnë nga qytete të tjera. Të gjithë po llogarisnin datën 15 korrik, kur zakonisht fillon “ora e pikut”, por dje e zhvendosën datën e “fillimit të orës së pikut” në 20 korrik.

“Ndihet pak më e gjallë, por nuk është “koha e pikut”. Tani pyetja është nëse do të kemi një sezon të vërtetë piku këtë vit. Në plazhin tonë çmimi i një shezlongu është 5 euro, dy me çadër janë 12 euro, kështu që çmimi nuk është arsyeja pse shezllonet janë bosh. Thjesht nuk ka njerëz. Ne ende presim dhe shpresojmë”, thotë një tjetër biznesmen.

Si duket nuk qenka vetëm vendi ynë ai i cili këtë verë po përballet me një mungesë të turistëve.