Deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, për FrontOnline ka folur pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se ky vendim është përfundimtar dhe duhet të zbatohet nga institucionet.
Ajo ka nënvizuar se, në aspektin juridik, vendimet e Kushtetueses nuk komentohen, pasi janë obligative për zbatim nga Kuvendi i Kosovës dhe institucionet e tjera të vendit.
“Në aspektin juridik, ne nuk komentojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi ato janë përfundimtare dhe obligative për t’u zbatuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast nga Kuvendi i Kosovës”, ka deklaruar Bytyqi.
Sipas saj, vendimi i fundit ka krijuar një realitet të ri juridik, duke përcaktuar një afat prej 34 ditësh për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit, afat ky që duhet të respektohet në përputhje me rendin kushtetues.
“Vendimi i fundit ka krijuar një rrethanë të re juridike, duke përcaktuar afatin prej 34 ditësh për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit. Si i tillë, ky afat duhet të respektohet dhe të zbatohet në përputhje me rendin kushtetues”, është shprehur ajo për FrontOnline.
Megjithatë, Bytyqi ka theksuar se kësaj radhe Gjykata Kushtetuese nuk ka ndërhyrë në mënyrën e veprimit të deputetëve, duke lënë hapësirë për ushtrimin e pavarur të mandatit të tyre.
“Është e rëndësishme të theksohet se këtë herë Gjykata nuk ka ndërhyrë në pozicionin apo mënyrën e veprimit të deputetëve, duke lënë hapësirë që përfaqësuesit e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrë të pavarur, pa kufizime të drejtpërdrejta, siç ka ndodhur në raste të mëhershme”, ka shtuar deputetja e AAK-së.