Rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka shtyrë institucionet vendore që të marrin në konsideratë masa konkrete për të lehtësuar barrën financiare mbi qytetarët dhe bizneset. Sipas burimeve të afërta me “Gazeta Minuti” brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), është duke u shqyrtuar seriozisht mundësia për uljen e akcizës për derivatet e naftës deri në rreth 30%.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky vendim pritet të merret si një masë emergjente, nëse trendi i rritjes së çmimeve vazhdon edhe në ditët në vijim. Ulja e akcizës synon që të reflektohet drejtpërdrejt në çmimin final për konsumatorët, duke amortizuar goditjen që po vjen si pasojë e zhvillimeve globale në sektorin energjetik.
Përveç kësaj, brenda institucioneve është diskutuar edhe për forcimin e mekanizmave të kontrollit në tregun e naftës. Sipas burimeve, MINT planifikon të rrisë ndjeshëm numrin e inspektimeve në kompanitë që operojnë me derivate, me qëllim parandalimin e abuzimeve me çmime dhe manipulimeve të mundshme në treg.
“Ka indikacione se në disa raste çmimet nuk janë reflektuar proporcionalisht me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, prandaj pritet që inspektorët të jenë shumë më aktivë në terren,” kanë bërë të ditur burimet për Gazetën.
Masat e paralajmëruara pritet të përfshijnë kontrolle të papritura, verifikim të faturave të furnizimit dhe analizë të marzhave të fitimit për kompanitë e naftës. Në rast të konstatimit të shkeljeve, paralajmërohen edhe gjoba të ashpra dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se një ndërhyrje e tillë e shtetit është e domosdoshme në situata krizash, por theksojnë se duhet të jetë e përkohshme dhe e mirëkoordinuar për të shmangur efektet negative në buxhetin e vendit.
Ndërkohë, qytetarët dhe bizneset mbeten në pritje të vendimit zyrtar, duke shpresuar që masat e mundshme të ndikojnë në stabilizimin e çmimeve dhe lehtësimin e kostos së jetesës.