Qeveria e Kosovës del me një njoftim

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka pranuar një mori urimesh nga liderë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, pas fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 dhe zgjedhjes për një mandat të ri në krye të ekzekutivit.

Sipas njoftimit zyrtar, ndër personalitetet që i kanë dërguar mesazhe urimi janë kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz, presidenti i Francës Emmanuel Macron, kryeministri i Republikës së Çekisë Andrej Babiš, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden, si dhe ambasadori jorezident i Katarit Jabor bin Ali Al Dosari.

Në mesazhet e tyre, liderët ndërkombëtarë kanë theksuar mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik, duke inkurajuar vazhdimin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Duke reaguar ndaj këtyre urimeve, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

“Ne jemi mirënjohës për urimet dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe udhëheqësve të shteteve, që pasqyrojnë besimin në rrugën tonë drejt zhvillimit, sundimit të ligjit dhe përforcimit të institucioneve demokratike”, ka deklaruar ai.

Kurti ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me shtetet, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si thelbësore për përparimin e Kosovës në proceset euro-atlantike