Burime të sigurta brenda Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës bëjnë të ditur për Gazetën Minuti se vendimi final lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani pritet të merret brenda javës së ardhshme.
Sipas këtyre burimeve, procesi i shqyrtimit të lëndës tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe gjyqtarët janë duke finalizuar analizën juridike për një nga rastet më të rëndësishme kushtetuese të viteve të fundit në vend.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur më herët një masë të përkohshme, duke pezulluar zbatimin e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit deri më 31 mars, me arsyetimin se duhej parandaluar një krizë e mundshme institucionale . Po ashtu, kjo masë ndaloi çdo veprim si nga Presidenca, ashtu edhe nga Kuvendi, deri në një vendim përfundimtar .
Sipas informacioneve të fundit, afati ligjor për vendimin përfundimtar po afrohet dhe pritet që brenda ditëve në vijim të jepet verdikti që do të sqarojë nëse dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë në përputhje me Kushtetutën apo jo .
Ky vendim konsiderohet vendimtar për zhvillimet politike në vend, pasi do të përcaktojë rrjedhën e mëtejme institucionale – nëse Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja apo do të vazhdojë funksionimi aktual i institucioneve.
Ndërkohë, rasti është dërguar në Kushtetuese nga kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të mazhorancës, të cilët e kanë kontestuar dekretin si antikushtetues, ndërsa nga Presidenca është mbrojtur si veprim në përputhje me obligimet kushtetuese.
Burimet e Gazetës Minuti theksojnë se vendimi që pritet javën e ardhshme mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin politik dhe rendin kushtetues të vendit, duke e bërë këtë një nga momentet më kritike për institucionet e Kosovës në vitin 2026.