Në një kohë kur çmimet e derivateve të naftës po vazhdojnë të shënojnë rritje të ndjeshme në gjithë vendin, një rast i pazakontë është raportuar së fundmi nga terreni. Sipas burimeve të Gazeta Minuti, në një pompë të karburanteve të quajtur “Besa” në Shkup, çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm, duke u ofruar për vetëm 1.16 euro për litër.
Kjo ulje e papritur vjen në një moment kur qytetarët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të jetesës, ndërsa çmimi i naftës në shumicën e pikave të furnizimit sillet mbi 1.60 euro për litër, e në disa raste edhe më lart. Për pasojë, ky zhvillim ka ngjallur interes të madh tek qytetarët, të cilët janë drejtuar në numër të shtuar drejt kësaj pompe për të përfituar nga çmimi më i ulët.
Burimet bëjnë të ditur se diferenca e madhe në çmim ka krijuar edhe radhë të gjata të automjeteve, ndërsa shumë qytetarë e kanë cilësuar këtë si një “lehtësim të përkohshëm” në një periudhë të vështirë ekonomike.