Gjykata Specile merr një vendim për Kadri Veselin

Gjykata Speciale ka vendosur që t’ia vazhdojë masën e paraburgimit ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë.

Në vendimin më të fundit të rishikimit të paraburgimit, të datës 16 mars 2026, Trupi Gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçi dhe të tjerëve ka urdhëruar vazhdimin e kësaj mase për Veselin, duke vlerësuar se ende ekzistojnë rrethana që e bëjnë të domosdoshme mbajtjen e tij në paraburgim.

Sipas njoftimit zyrtar, Trupi Gjykues ka konstatuar se rreziqet që lidhen me lirimin e mundshëm të të akuzuarit nuk janë eliminuar. Konkretisht, theksohet se ekziston rreziku që Veseli mund të pengojë ecurinë e procesit gjyqësor ose të ndikojë në dëshmitarë, si dhe mundësia për kryerjen e veprave të tjera penale.

“Thaçi dhe të tjerët: Vazhdohet paraburgimi për Veselin (mars 2026)”, thuhet në vendimin e bërë publik, ku nënvizohet se masat aktuale mbeten të nevojshme për të garantuar zhvillimin e drejtë dhe të papenguar të procedurave gjyqësore.

Rasti ndaj Veselit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga proceset më të rëndësishme që po zhvillohet në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë, dhe po ndiqet me vëmendje të madhe si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Vendimi për vazhdimin e paraburgimit pritet të rishikohet sërish në periudhat e ardhshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, ndërsa mbrojtja dhe prokuroria do të vazhdojnë paraqitjen e argumenteve të tyre në këtë proces të ndjeshëm dhe kompleks.