Sipas burimeve të sigurta të Gazeta Minuti, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet që në ditët në vijim të marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpalljen e zgjedhjeve.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se prirja brenda institucionit më të lartë juridik në vend është që vendimi të jetë në favor të dekretit presidencial, duke e konsideruar atë në përputhje me Kushtetutën dhe kompetencat që i takojnë kreut të shtetit.
Ky vendim, nëse konfirmohet zyrtarisht, pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në vend, duke i hapur rrugë organizimit të zgjedhjeve dhe duke i dhënë fund debatit juridik dhe politik që ka shoqëruar këtë çështje javët e fundit.
Dekreti i Presidentes ka qenë objekt diskutimi dhe kontestimi nga akterë të ndryshëm politikë, të cilët kanë kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e tij. Megjithatë, sipas informacioneve të fundit, duket se ky institucion do të rreshtohet në anën e presidencës.
Nga ana tjetër, një vendim i tillë pritet të qartësojë situatën institucionale dhe të shmangë një krizë të mundshme politike, duke vendosur një precedent të rëndësishëm për rastet e ngjashme në të ardhmen.
Gazeta Minuti do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë çështje.