Emrat/ Këta janë mërgimtarët nga Kosova që ndërruan jetë në vendin e punës

Një aksident i rëndë ka tronditur Vjenë, ku një skelë ndërtimi është shembur duke shkaktuar pasoja tragjike në njerëz. Sipas informacioneve të para të konfirmuara ngaalbinfo.at, katër persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij incidenti të rëndë, raporton Gazeta Minuti.

Nga të dhënat aktuale, tre prej viktimave janë shqiptarë. Bëhet fjalë për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe një person tjetër me emrin Istref, mbiemri i të cilit ende nuk është konfirmuar nga autoritetet. Viktima e katërt raportohet të jetë nga Bosnja, shkruan Gazrta Minuti.

Përveç viktimave, një person tjetër ka mbetur i lënduar dhe po merr trajtim mjekësor. Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të sakta lidhur me identitetin apo gjendjen e tij shëndetësore.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në opinion, ndërsa autoritetet austriake kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Dyshohet se shembja e skelës mund të ketë ardhur si pasojë e kushteve teknike apo faktorëve të sigurisë në kantier, por një konfirmim zyrtar ende nuk ka.

Ndërkohë, ekipet emergjente kanë ndërhyrë për të nxjerrë trupat nga rrënojat dhe për të siguruar zonën, në mënyrë që të shmangen rreziqe të tjera të mundshme.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë gjatë orëve dhe ditëve në vijim, ndërsa pritet edhe identifikimi i plotë i viktimave si dhe sqarimi i shkaqeve që çuan në këtë tragjedi.