Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka shprehur së fundmi frikën e tij lidhur me sigurinë në rajon pas krijimit të aleancave të reja ushtarake ku në fokus të reagimeve të tij është alenca Shqipëri-Kroaci-Kosovë. Presidenti serb në deklaratat e tij është shprehur se prioriteti i tij kryesor është ruajtja e stabilitetit në Serbi.
“Unë jam president i një vendi numerikisht të vogël. Nuk jam Donald Trump apo Vladimir Putin, presidentë të mëdhenj që e zgjidhin gjithçka lehtë, për mua nuk ka gjëra të lehta. Natyrisht që kam frikë. Unë jam president që dëshiron që trashëgimia e tij të jetë paqja.
Papritur shfaqet një aleancë ushtarake. Sigurisht që kam frikë për jetën e çdo qytetari të vendit tonë. Kjo është përgjegjësia dhe detyra ime, para së gjithash duhet të ruaj stabilitetin e shtetit”, tha Vuçiç.
Ndër të tjera ai shtoi se krijimi i aleancave ushtarake në rajon i shkakton shqetësim. Sipas tij kjo aleancë ushtarake është drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë.
I pyetur për deklaratën e kryeministrit kroat, Zoran Milanoviç se do të njoftojë NATO-n për armatimin e ri hipersonik serb, Vuçiç tha se Serbia ka marrëdhënie korrekte me aleancën.
“Ne nuk do të hyjmë në NATO. Do ta ruajmë neutralitetin tonë, por kemi marrëdhënie korrekte dhe të mira me ta dhe do të vazhdojmë t’i ndërtojmë,” shtoi ai.
Presidenti serb shtoi se Kroacia ka filluar modernizimin e ushtrisë shumë më herët. Vuçiç deklaroi gjithashtu se kundër tij nga Zagrebi po zhvilloi një fushatë politike të cilën e cilësoi si të ulët dhe të rreme.
“Unë jam njeriu më i ekspozuar ndaj një fushate shumë të ulët, shumë të rreme që vjen nga Zagrebi, por nuk shqetësohem aspak për këtë. U përpoqën që të na rrëzonin shtetin dhe nuk ja dolën. Ne së shpejti do të kemi dhe stërvitje me NATO-n.
Nuk duam armiqësi dhe nuk do t’i kemi. Por a do të vendosë Zagrebi se çfarë do të ketë Serbia dhe si do ta mbrojmë integritetin tonë? Sa kohë që unë jam president, Zagrebi nuk do të vendosë për këtë”, tha Vuçiç.