Avokati Arianit Koci ka alarmuar për një rast gjyqësor në Fushë Kosovë.
Viktima e ngacmimit seksual ka shkuar në seancë, e institucionet jo.
Postimi:
SKANDAL NË FUSHË KOSOVË: SEANCA PËR NGACMIM SEKSUAL, VIKTIMA NË SALLË – INSTITUCIONET JO
Sot, në ora 09:00, ishte caktuar seanca për një rast të ngacmimit seksual.
Ligji dhe Konventa e Stambollit kërkojnë që këto raste të trajtohen me prioritet të veçantë, pikërisht për shkak të natyrës së veprës dhe pasojave që ajo lë tek viktima.
Realiteti që gjetëm sot në Gjykatën e Fushë Kosovës ishte krejt tjetër.
Në ora 09:20, në sallë ishim vetëm ne: viktima dhe unë si përfaqësues i saj.
Gjyqtarja e rastit nuk ishte në sallë.
Gjyqtarja mbikëqyrëse – dera e mbyllur.
Arsyetimi që morëm ishte ky: “Po e presim prokurorin.”
Ndërkohë, duhet me u kujtu një fakt: aktakuza në këtë rast është ngritë para më shumë se dy vitesh.
Gjatë kësaj kohe, viktima më ka tregu se që nga dita e parë në Polici është ndi e pashpresë dhe e pakënaqur me trajtimin institucional. Sot kishte ardhë në gjykatë me shpresën që më në fund procesi do të lëvizte përpara.
Ajo që ndodhi sot vetëm sa e thelloi këtë ndjenjë.
Kur viktima vjen me kërku drejtësi dhe institucionet që duhet me ia garantu atë nuk janë as të pranishme, dëmi nuk është vetëm procedural. Në raste të tilla, sistemi rrezikon me u bë vetë burim i ritraumatizimit.
Krimet seksuale kërkojnë ndjeshmëri, profesionalizëm dhe seriozitet maksimal. Në të kundërtën, mesazhi që u jepet viktimave është i rrezikshëm: se sistemi nuk është gati me i dëgju.
P.S.
Ora 9.40! Ende nuk ka filluar gjykimi. Prokurori është në sallë!
Viktima po më pyet: “A ia vlenë me e raportu krimin?”.